Hamdi Nuhiju
Gjatë ditës së sotme (04.09.2019) patëm mundësi që të përcjellim në mënyrë tematike disa medie serbe për të kuptuar se si ata raportojnë për situatën zgjedhore dhe politike në Kosovë.
Gazeta Danas publikoi lajmin e thirrjes së deputetëve serb për t`u përkrahur Lista Serbe në Kosovë. Sipas kësaj gazete, deputeti nga radhët e Partisë Progresive, Dushica Stojkoviq duke folur në Parlamentin serb për ndërprerjen e vizave për disa shtete, i ka ftuar serbët e Kosovës që jetojnë në Serbinë Qëndrore dhe në diasporë që me 6 tetor në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të dalin dhe të votojnë për Listën Serbe që sa më lehtë të ndërtojnë të ardhmen për të gjithë banorët e Kosovës.
Kësaj thirrjeje iu është bashkangjitur edhe deputeti i Partisë SocialDemokrate, Vladimir Marinkoviq.
Gazeta Politika ka publikuar deklaratën e zëdhënëses se ministrisë së punëve të jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, e cila ka deklaruar se Kosova është duke u shndërruar në bastion të terrorizmit:
“I tërë territori i Kosovës po shndërrohet në bastion të terrorizmit”, ka deklaruar Zaharova në konferencën e rregullt për gazetarë.
Gazeta Blic publikoi lajmin me titull Tik Tak amerikanët në ofenzivë për shkak të Kosovës, tre specialist nga Uashingtoni këtë javë në regjion, qëllimi i tyre është MARRËVESHJE PËR 6 MUAJ.
Është interesante se kjo gazetë përmend elementin kohor për një marrëveshje të mundshme midis Kosovës dhe Serbisë.
Telegrafi serb e quan provokim deklaratën e Thaçit pas takimit me senatorin amerikan ku përmendet pavarësia e Kosovës.
Ndërsa Sputnik në gjuhën serbe publikon një kolumnë me titullin: “ Qyteti serb mbretëror në San Francisko: Oj Kosovë, Kosovë, është kërcyer në mes të Amerikës.
Nga ajo që pamë sot dhe ditëve të kaluara, mediet serbe vazhdojnë me provokime ndaj gjendjes në Kosovë duke nxitur tema të ndryshme në tre shtylla kryesore: terrorizmi islamik, kronika e zezë dhe tërheqja e njohjeve për Kosovën. Këto tema dhe tjerat janë tejet interesante për opinionin serb. Ajo që është me rëndësi për t`u kuptuar, është promovimi i vazhdueshëm i Hashim Thaçit nga mediet serbe, si dhe një element i cili sot u theksua haptas 6 muajt e mundshëm për një zgjidhje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.
Përderisa në Kosovë temat kryesore janë : taksa 100 % ndaj Serbisë, autostrada e Dukagjinit, ruajtja e unitetit territorial të Kosovës si dhe zhbllokimi i bisedimeve për zgjidhjen e kontestit me Serbinë. Sipas të gjitha parametrave, Kosova është e gatshme për një njohje reciproke me Serbinë, dhe është kundër idesë së ndarjes së territorit si dhe bashkimit të saj të mundshëm me Shqipërinë.
Në të kaluarën e afërt, ka pasur vlerësime nga politikan të caktuar se Kosova mund që të përafrohet me Shqipërinë, si dhe ideja e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
Ajo që mund të shohim nga mediet serbe dhe deklaratat e politikanëve serb, nënkuptohet se ato janë për proceset demokratike në Kosovë, kur bëhet haptas thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Është një hap i rëndësishëm para procesit së nënshkrimit të një marrëveshje të mundshme me Kosovën.