Kur politikanët citojnë statistikat e Covid-19, ata mund të jenë gabim, mirëpo nuk do të thotë që numrat janë

Dejvid Spigelhalteri

Statisticienët do të dëshironin një hetim mbi rolin e tyre në këtë krizë, ata kanë bërë një punë të mirë
“Herët ose vonë ne do të duhet të kemi një hetim mbi rolin e statisticientëve në krizën Covid-19”, deklaroi së fundi gazetari Ros Kllark (Ross Clark) në Telegrafin Ditor. “Ata do të duhet të vendosen në karrigen e nxehtë dhe të merren në pyetje për një kohë të gjatë nëse ato kontribuuan në ndjenjën e panikut i cili ka kapur kaq shumë njerëz dhe ka prishur jetën normale për kaq gjatë”. Si një nga ata statisticientë të shëmtuar do ta shijoja këtë mundësi.

Në librin tim Arti i Statistikave (The Art of Statistics) i botuar vitin e kaluar, citoj statisticientin dhe shkrimtarin Nejt Sillver (Nate Silver) i cili tha: “Numrat nuk kanë se si të flasin vetë… ne i mbushim ato me kuptim”. Gjatë kësaj krize shumë kuptime janë mbërthyer nga njerëz të cilët duan që numrat të mbështesin argumentin e tyre. Kjo mund të përfshijë bërjen e krahasimeve me Suedinë për të thënë se një izolim i rreptë është i panevojshëm, ose duke treguar rritjen e niveleve të infeksionit për të kërkuar një strategji zero-Covid. Në të kundërt, statisticienët priren të jenë me pedantizëm të kujdesshëm në interpretimin e tyre të të dhënave pasi ata i kuptojnë dobësitë dhe pasiguritë e tyre dhe janë shumë hezitues t’i përdorin ato për të argumentuar se diçka duhet ose nuk duhet bërë.

Statististicienët gjithashtu nuk duhet të fajësohen për njoftimet e shtypura të përditshme të qeverisë për shtyp gjatë muajve të parë të izolimit të pandemisë. Këto zbuluan se si politikanët duan të flasi me numra të mëdhenj gjithandej, duke treguar grafikë të bukur, të gjithë të udhëhequr nga ekipi i komunikimit Nr. 10. Në maj e kam quajtur këtë “teatër me numra”. Dobësia e disa prej këtyre numrave tani po zbulohet: numri i vdekjeve akumuluese i Covid-19 në Angli ra në mes të gushtit me rreth 5,000, pasi shifra e përgjithshme tani nuk përfshin askënd që vdiq më shumë se 28 ditë pas një prove pozitive. Ky vendim nuk u mor me sa duket nga statisticienët dhe ndoshta më shumë për unitetin e matjes midis katër kombeve të Mbretërisë së Bashkuar sesa për përshtatshmërinë e tij.

Numrat mund të mos matin çfarë ju mendoni se janë duke matur, por rrallë janë plotësisht të gabuara. Kjo është arsyeja pse komuniteti i statistikave lëshoi një gulçim kolektiv të dielën e kaluar kur Stefën Hahni (Stephen Hahn), komisionari i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave tha në një konferencë për shtyp se trajtimi me plazmë rikuperuese do të thotë se nga “100 personat të cilët ishin të sëmurë me Covid-19, 35 do të ishin shpëtuar”. Nëse është e vërtetë, ky do të ishte një nga zbulimet më të shquara mjekësore në histori, duke shpëtuar një jetë për çdo tre njerëz të trajtuar. Por është plotësisht gënjeshtër. Në fakt 8.9% e grupit të trajtuar vdiqën, krahasuar me 13.7% të një grupi krahasimi, një ndryshim relativ me 35%. Diferenca absolute ishte 5%, kështu që nëse do t’i besonim shifrave, në fakt 20 njerëz duhej të trajtoheshin për të shpëtuar një jetë. Por ne as nuk duhet t’i besojmë atyre numrave të cilat janë duke u bazuar në pacientë të zgjedhur të cilët janë duke marr trajtimin dhe duke mos krahasuar dy gjëra të ngjashme në një model të duhur të rastësishëm.

Kjo është ndoshta fjala më e zymtë statistikisht që kam parë nga ndonjë autoritet gjatë kësaj krize dhe ai është kundër një konkurrence të fortë, me presidentin përkrah duke e mbështetur atë në konferencën për shtyp.
Njerëzit kanë tendencë të kenë një ndjenjë të ekzagjeruar të cenueshmërisë së tyre ndaj Covid-19 dhe unë e pranoj që statisticienët duhet të marrin disa përgjegjësi për mos komunikimin e një ideje realiste të rreziqeve. Pjesërisht ky është një problem me mesataret, thjesht duke thënë se rreth 1% e njerëzve vdesin pas kapjes së virusit mund të jetë çorientuese kur kjo shifër mesatare maskon një cënueshmëri të madhe, vlerësohet të shkojë nga rreth 20% te personat më të vjetër dhe të dobët në afërsisht një në 50,000 për nxënësit e shkollave. Është mjaft e drejtë të përqendrohemi në efektet e përkatësisë etnike, privimit dhe vendeve të punës të cilat janë në kontakte me njerëzit, secila prej tyre afërsisht mund të dyfishojë rrezikun e marrjes dhe vdekjes nga virusi. Por të jesh vetëm gjashtë vjet më i vjetër gjithashtu dyfishon rrezikun tënd: rritet, si një formë vdekjeprurëse e interesit të përbërë, me rreth 12% për çdo vit nga mosha.

Përhapja e virusit në fillim të epidemisë tregoi se sa e vështirë ishte për të kuptuar këtë ide të rritjes së shpejtë, por kjo mund të na ndihmojë të kuptojmë pse rritja aktuale e rasteve nuk po pason me pranime shtesë në spital ose me vdekje. Është me rëndësi që ne të mos numërojmë vetëm rastet, por të shikojmë moshat e tyre dhe raporti i fundit nga Shëndeti Publik në Angli zbulon se niveli më i lartë i testeve pozitive është në grupmoshën 15-44 vjeç. Nëse 5,000 30-vjeçarë infektohen, mund të presim që vetëm një ose dy të vdesin dhe kështu kjo ndihmon në shpjegimin e mungesës së pasojave të rënda deri më tani. Por krejtësisht tregim tjetër për të moshuarit dhe të dobëtit fizikisht të cilët kanë nevojë për mbrojtjen e duhur.

Kjo është një kohë e ndërlikuar për të gjithë ne, me një nevojë për të ekuilibruar dëmet dhe përfitimet e mundshme ndërsa përballemi me kaq shumë pasiguri. Kjo është e vërtetë si për shoqërinë në tërësi ashtu edhe për secilin individ i cili i llogarit mundësitë e tij. Si një komunitet, ne kemi nevojë për mbikëqyrje gjithnjë e më intensive të virusit korona dhe veprim të shpejtë dhe proporcional lokal, të kombinuar me përpjekjet maksimale për të hapur shkolla dhe për të lëvizur ekonominë, duke mbrojtur gjithashtu ata të cilët cenohen më shumë. Dhe si individë, të gjithë duhet të përballemi me faktin se kjo nuk do të largohet shpejt: edhe nëse një vaksinë vjen përfundimisht, nuk mund të mundësojë mbrojtje të plotë dhe mund të ketë nevojë të përsëritet. Pra, ata të cilët aktualisht po mbrohen, në një moment do të duhet të vendosin nëse duan të mbyllen në shtëpitë e tyre për një të ardhme të parashikueshme. Ky proces do të jetë gradual dhe mjaft i kujdesshëm, por prej kohësh kemi mësuar të menaxhojmë rreziqe të tilla si aksidentet e transportit dhe terrorizmi.
Ky ndryshim në një botë e cila nuk është “e sigurt”, por me shpresa të jetë me rrezik të ulët, do të drejtohet nga statistikat. Dhe në përgjithësi, unë mendoj se statistikat kanë bërë një punë të mirë përmes krizës. Pritet nga unë ta them këtë, apo jo? Unë duhet të pranoj një konflikt interesi duke qenë një drejtor jo-ekzekutiv i Autoritetit të Statistikave të MB-së (UK Statistics Authority), i cili mbikëqyr statistikat kombëtare dhe për fat të mirë i përgjigjet parlamentit, e jo ministrisë. Pra, sillni atë karrigen e nxehtë dhe marrjen në pyetje.
Dejvid Spigelhalteri (David Spiegelhalter) është kryetar i Qendrës “Winton” për Rrezik dhe Komunikim të Provave në Universitetin e Kembrixhit. Ai është autor i Artit të Statistikave (The Art of Statistics)
The Guardian, 31.08.2020

Përktheu dhe përshtati: Tasim Ameti

Antiteza.org/09.09.2020

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *