Abaz Selmani është poet dhe tekstshkrues shqiptar nga Kumanova. Ka bashkëpunuar me një numër të madh të estradës shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Ai është një model i modestisë dhe sinqeritetit në sferën e shkrimit të teksteve të këngëve. Shkurtimisht ai jep këtë letërnjoftim për veten: Unë jam Abaz Selmani nga Kumanova, jetoj dhe veproj në Kumanovë, kam të kryer fakultetin e Administrates së Biznesit pran USHT-së dega ne Kumanovë , jam i martuar dhe prind i 4 fëmijëve, jam tekstshkrues, dhe jam autor i tri librave edhe atë: Dialog me Veten( poezi) ,Alarmi i Zemrës ( poezi) dhe nje liber tjetër me tekste këngësh me motive darsme nga të gjitha trojet shqipëtare.
Me të realizuam një bisedë të shkurtër dhe të këndshme për lexuesit e portalit Antiteza.
Intervistoi: Hamdi Nuhiju
Antiteza: Ku e gjen frymëzimin më së shpeshti për poezi dhe tekste këngësh?
Abaz Selmani: Sa i përket poezive frymëzimi im me i madh vjen nga dukurit e përditshme negative ne shoqërinë tonë, temat sociale, temat politike, dhe natyrisht temat e Dashurisë ne forma pak me ndryshe. Pa dyshim që unë shkruaj dhe poezi për dukurit pozitive në shoqëri se në fund të fundit sado që kemi halle derte nuk ështe gjithçka zi e terr,ndërsa tekstet e këngeve janë një botë krejtësisht tjetër , ka shumë faktorë që ndikojnë si psh: zhanri muzikor, trendet e kohës, kërkesat e vecanta që i bëjnë këngëtarët,etj.
Antiteza: Si e shihni kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut?
Abaz Selmani: Të jem i sinqertë këto kohët e fundit ka pasur levizje pozitive, por akoma jemi larg që të arrijme nivelin e duhur, duhet shumë punë, shumë ide , proekte për realizimin e të cilave nevojitet një investim i madh në kulturë, si në muzikë , art, pikturë, film, teatër me një fjalë për kulturë nuk duhet të kursehet.
Antiteza: A mendoni se muzika që dëgjojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut është vetëm komerciale?
Abaz Selmani: Jo asesi. Ka muzikë edhe me vlera artistike, ka shum këngëtarê që e kultivojnë edhe muzikën artistike, ndërsa sa i përket muzikes komerciale nuk është në trend vetëm tek ne pothuaj se në çdo vend të botës është komercializuar muzika. Në fakt duhet dhënë një sqarim për komercializimin e muzikës: Muzika është një produket i cili shitet si çdo produkt tjetër dhe ata që merren me muzikë duhet të mendojnë dhe për përfitimet e tyre nga muzika, por për fat të keq shumë shpesh teprohet në shumë gjëra. Në këtë aspekt shumë ndikim kanë mediumet si ato të shkruara e në veçanti televizionet private , ato janë kompani fitimprurëse të cilat e kanë më primare fitimet e tyre se sa cilësinë, pastaj ka mungesë të debateve televizive nga njerëz kompetent në sferën e muzikës , duhet sqaruar dhe spjeguar shumë gjëra.
Antiteza: A ka dallime të kulturës në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe te shqiptarët e diasporës?
Abaz Selmani: Në të vërtetë dallime kulturore mund të ketë nga një qytet në tjetrin qytet, nga një krahinë në tjetrën, dhe natyrshëm që ka dallime kulturore në mes te shqipëtarëve të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë por jo të mëdha. Dallimi më i madh është me Shqipërine , edhe Kosova edhe ne e dini mirë qe ka ndikuar situata politike shumë, në të kaluarën jo të largët nuk kemi pasur as shkolla e Univerzitete e lëre me ndonjë jetë kulturore, ndërsa në Shqipëri edhe pse në sistemin komunist kanë funksionuar institucionet kulturore.

Antiteza: A është e rëndë të punohet me yjet e estradës shqiptare, cilat janë sfidat dhe problemet rrugës?
Abaz Selmani: Varet nga cili këndvështrim e analizoni, nuk ështe edhe shumë e lehtë por natyrshëm zgjidhja e çdo problemi është realizimi i një kënge të mirë, pastaj secili këngëtarë apo këngëtare ka kërkesat e veta, ka specifikat e veta, dhe puna ime është që të bëj atë më të mirën për ata, në fund të fundit është sukses i përbashkët çdo proekt i mirë muzikorë.
Antiteza: Si e shpjegoni teorinë se :” Nuk mund të bëhesh poet i mirë nëse nuk lexon poezi”?
Abaz Selmani: Unë mendoj se duhet lexuar jo vetëm poezi por edhe libra me tema të tjera , sa më shumë që lexon aq më shumë je i informuar , dhe rrjedhimisht ata që shkruajnë i japin estetikë asaj qe e dinë që e ndjejnë dhe që e shohin, poezia është estetikë e të folurit, të gjithë flasin për Dashurinë por poetët ato fjalë i rimojnë , i radhisin dhe iu japin shije për lexuesin.
Antiteza: Na zbuloni diçka nga projektet tuaja të fundit?
Abaz Selmani: Proekti im i fundit është para një jave ka dalur nga shtypi libri im i fundit i treti me radhë i titulluar: Alarmi i Zemrës. Vlen të theksohet se një nga poezitë e këtij libri mori një jehonë të jashtëzakonshme të lexueshmërisë , bëhet fjalë për poezinë me titull : Bac nuk u kry, dhe për këtë jam shumë i lumtur. Kam realizuar shumë tekste këngësh për shumë këngëtarë dhe këngëtare disa vetëm se janë lansuar këto ditë dhe shumë të tjera presim të lansohen në ditët në vijim. Edhe pse kjo kohë e pandemisë na ka penguar të realizojmë edhe shumë projekte të tjera muzikore, por natyrisht në këtë kohë mbi të gjitha është shëndeti i njerëzve dhe uroj që ta kalojmë së shpejti këtë situatë, Zoti është i madh dhe lutemi që të kalojë virusi dhe të kthehemi në normalitet.
Antiteza: Porosia e juaj për tekstshkruesit e rinj?
Abaz Selmani: Porosia ime jo vetëm për tekstshkruesit e rinjë por në përgjithësi për rininë është: ndiqni ëndrrat tuaja sepse ia vlen, Zoti mundin nuk ia humb askujt, andaj punoni mos u dorëzoni sepse vjen një ditë cdo punë e juaja do të shperblehet me sukses.
Në fund më lejoni që të ju faleminderoj ju dhe portalin tuaj Antiteza për intervistën, ju uroj punë të mbarë dhe suksese
Ju faleminderit ishte kënaqesi
JU FALEMINDERIT.
