Pikat e ndarjes

Amanda Karpenter
Çfarë i shtyu ish mbështetësit më të shquar të Trampit të heqin dorë nga ai.
Për të gjithë besnikërinë të cilën e gëzon Donald Trampi nga ndjekësit e tij më servil, shumë figura të shquara të cilat e ndihmuan atë kanë hequr dorë nga presidenti krejtësisht. Vlen të hidhni një vështrim në pikat kritike për këta punonjës të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë, sekretarët e kabinetit, këshilltarët politikë dhe të tjerët, atëherë kur secili vendosi që ai ose ajo thjesht nuk mund të qëndronte më me Trampin. Pasi që ne mund të mësojmë shumë për Trampin dhe efektin e përgjithshëm të cilin ai e posedon në vendin tonë duke studiuar se çfarë i bëri këta individë, nga udhëheqësit e nderuar ushtarakë deri te zëvendësuesit e ngathët të Trampit, më në fund të thyhen.
Nga burrat dhe gratë të cilët i kanë shërbyer Trampit dhe kanë vazhduar të flasin publikisht kundër tij, mbase fjalët e askujt nuk kanë më shumë peshë sesa të ish sekretari të mbrojtjes së Trampit – Xhejms Matisit (James Mattis). Teorikisht, “luftëtari murg” Gjenerali “Mad Dog” Matis, një gjeneral në pension me katër yje të Trupave Detarë, i cili dikur udhëhoqi Komandën Qendrore, duhet të kishte qenë një përshtatje e mirë brenda administratës së Trampit.
Por Trampi është një forcë e pamatur që as një gjeneral ushtarak me 40 vjet përvojë nuk mund ta këshillojë. Matisi u largua nga Trampi në dhjetor të vitit 2018 kur presidenti injoroi këshillat e tij dhe papritmas nxori trupat nga Lindja e Mesme. Matisi citohet në librin e ri të Bobi Vuduardit (Bob Woodward) Tërbimi “Rage” duke thënë: “Kur në thelb u udhëzova të bëja diçka të cilën mendoja se shkonte përtej budallallëkut deri në krim të budallallëkut, duke rrezikuar strategjikisht vendin tonë në botë dhe gjithçka tjetër, ky është momenti kur unë e lash punën”.
Ky nuk është e vetmja mosmarrëveshje e thellë të cilën ai e ka pasur me presidentin. Kur Trampi përdori forcën ushtarake për të shpërndarë protestuesit në Uashington, Sheshin Lafajet (Lafayette) të D.C., Matisi ndërmori hapin e rrallë të lëshimit të një deklarate publike për këtë çështje, duke e vënë atë në terma të pasigurt se Trampi ka kaluar një vijë të patolerueshme.
Matisi tha se ishte “i zemëruar dhe i tmerruar” nga veprimet e presidentit dhe se “Ne jemi dëshmitarë të pasojave të tre viteve pa udhëheqje të pjekur. Ne mund të bashkohemi pa të, duke u mbështetur në pikat e forta të shoqërisë sonë civile”. Ai vazhdoi, “Ne e dimë se jemi më të mirë se abuzimi me autoritetin ekzekutiv për të cilin ishim dëshmitarë në Sheshin Lafajet. Ne duhet ta refuzojmë dhe të mbajmë përgjegjës ata që janë në detyrë të cilët do të tallen me Kushtetutën tonë”. Pastaj ai bëri thirrje për miratimin e një “rruge të re” e cila mund të interpretohet vetëm si një rrugë e cilat shmanget nga Trampi.
Xhon Bolltoni (John Bolton) arriti në një përfundim të ngjashëm pasi punoi direkt me Trampin si këshilltar i tij i sigurisë kombëtare. Në librin e tij “Dhoma ku ndodhi” – “The Room Where It Happened”, Bolltoni thotë se ai vendosi se ai duhej të largohej në shtator të vitit 2019, pasi Trampi bëri plane për të ftuar publikisht talibanët te Kampi David (Camp David).
Bolltoni e kundërshtoi me zell idenë dhe shpresonte që të mos merrej vesh për planin asnjëherë. Këto shpresa u avulluan kur Trampi pa asnjë paralajmërim, shkroi në Tuiter në lidhje me projektin e braktisur më 7 shtator. Më 9 shtator, Trampi thirri Bolltonin për një takim për t’u ankuar në lidhje me mbulimin e shtypit për takimin e anuluar dhe trazirat midis Republikanëve. Trampi akuzoi Bolltonin për përhapje të planit, ndaj të cilit Bolltoni e vuri re thatë, “Sigurisht, shumica e reagimit negativ të cilin ai ia kishte sjellë vetes nga shkrimet në Tuiterin e tij të këshilluara keq”.
“Kjo ishte biseda ime e fundit me Trampin”, tha Bolltoni. Më 10 shtator, ai dorëzoi letrën e tij të dorëheqjes në 11:30 të mëngjesit. Nga mesdita Trampi po shkruante në Tuiter se shërbimet e Bolltonit nuk ishin më të nevojshme. “Dhe me këtë, unë isha përsëri një njeri i lirë”, shkroi Bolltoni.
Ashtu si Matisi, Bolltoni po bën thirrje për një lëvizje për të refuzuar Trampin.
“Një ditë pas zgjedhjeve, pavarësisht nëse Trampi fiton ose humbet, ne përballemi me një debat të vërtetë, ndoshta një debat ekzistencial rreth asaj që është e ardhmja e Partisë Republikane”, tha ai. “Unë thjesht mendoj se është e rëndësishme që Partia Republikane të ndahet nga Trampi dhe që filozofia konservatore të ndahet nga Trampi”, shtoi ai.
Personat e tjerë të brendshëm, si Majlls Tejllori (Miles Taylor), ish-shefi i stafit të Sekretarit të Sigurisë së Brendshme Xhon Kelli (John Kelly), e gjetën veten duke bërë përpjekje të mëdha për të bllokuar planet e tjera të rrezikshme të Trampit. Ashtu si shumë të emëruar të tjerë, Tejllori kishte dyshime për Trampin por pranoi një pozicion qeveritar duke menduar se ai mund të ndihmonte që Trampi të mos veprojë sipas impulseve të tij më të këqija.
“Tonazhi total i ideve të këqija të Trampit të cilat nuk u materializuan kurrë ishin të mjaftueshëm për të shtypur shpresat e gjithkujt për një presidencë të suksesshme”, tha Tejllori për “The Bulwark-in”. “Por personi i cili theu dëshirën time për të vazhduar shërbimin ishte këmbëngulja e tij perverse për të rifilluar ndarjen e familjeve në kufi – duke e bërë edhe më keq. Ishte e neveritshme, e gabuar dhe jo-amerikane. Ky ishte çasti kur u bë e qartë se thënia ‘jo’ ndaj Trampit nuk ishte më e mjaftueshme. Tërheqja e tij magnetike ndaj keqbërjes ishte më e madhe se çdo e mirë që ‘Aksi i të Rriturve’ (Axis of Adults) mund të bënte për ta mbajtur atë në rrugën e duhur”.
Elizabeta Njuman (Elizabeth Neumann), ish-ndihmës sekretarja e Trampit për kundër terrorizmin dhe parandalimin e kërcënimeve në “DHS-së – The Department of Homeland Security”, kohët e fundit i tha Çarlli Sikës (Charlie Sykes) në transmetimin e “The Bulwark-it” se ajo e mban mend qartë kur ndjeu se duhej t’i ndërpriste lidhjet.
“Pika në të cilën pozicioni im ndryshoi dhe unë thashë “Jo në këtë pikë ju jeni fajtor” ishte pas “El Pasos”,” tha ajo, duke iu referuar sulmit në gusht të vitit 2019 nga një i bardhë ti cili vrau 20 njerëz dhe plagosi dhjetëra të tjerë në një Uallmart (Walmart) në El Paso, Teksas. Duke i bërë jehonë gjuhës së Trampit, qitësi shkroi në një manifest që “ky sulm është një përgjigje ndaj pushtimit spanjoll të Teksasit”.
“Posti El Paso, nuk ka asnjë justifikim” tha ajo. “Korrelacioni ishte aq i qartë sa që ky individ kreu këtë sulm për shkak të kësaj gjuhe” të cilën Trampi e kishte përdorur. Ajo vazhdoi, “Ne e shohim atë publikisht këtë verë, është pjesë e procesit tim për të arritur të pajtohem me faktin se unë nuk mund të votoja për të dhe jo vetëm të vendosja të bëja një kandidat të shkruar por të votoja për Xho Bajdenin (Joe Biden) do të thotë të kuptosh se sa e rrezikshme është retorika e tij dhe mosgatishmëria e tij për të ndryshuar. Është kaq e qartë për mua që vlerat e tij, ajo për të cilën ai interesohet është vetë ai, ai kujdeset për fuqinë e tij politike, ai kujdeset për fitoren edhe nëse sakrifica njerëzorë janë në pyetje. Thjesht nuk mundem”.
Njumani dha dorëheqjen në prill të vitit 2020 dhe tani po punon me Tejllorin në një grup anti-Trampit të quajtur Aleanca Politike Republikane për Integritetin dhe Reformën (Republican Political Alliance for Integrity and Reform – REPAIR) për të organizuar të tjerët të cilët kanë punuar për Trampin dhe dëshirojnë të mbështesin Bajdenin në vitin 2020 dhe të punojnë së bashku për të reformuar Partinë Republikane.
Plasaritje të rëndësishme janë shfaqur gjithashtu në mbështetjen e Trampit midis individëve jashtë administratës.
Ishte egërsia e Trampit ndaj të tjerëve që e shtyu Stefani Ranade Krideren (Stephanie Ranade Krider) drejtoreshë ekzekutive për “Ohio Right to Life” të linte punën e saj në vend që të mbështeste Trampin dhe ta ndihmonte atë të fitonte një mandat të dytë. “Mësoheni të mbani disa gjëra në tension dhe për mua, erdhi në një pikë ku nuk munda më”, tha Kriderja së fundi për “Christianity Today-in”.
“Gjithmonë, ka qenë kjo rrymë ku ai thjesht nuk i respekton gratë dhe nuk i pëlqen njerëzit e zinj dhe me ngjyrë kafe. Unë nuk mund të shikoj ndonjë nga sjelljet e tij dhe të shoh prova të Shpirtit të Shenjtë në jetën e tij. Asgjë në lidhje me fjalët ose veprimet e tij nuk është e mirë, e butë ose besnike ose e me vetëkontroll të plotë”. Kriderja përmendi në mënyrë specifike politikën e Trampit në lidhje me ndarjen e fëmijëve dhe reagimin e tij ndaj vrasjes së Xhorxh Flojdit (George Floyd) si arsye për pushimin e saj. “Frika ime më e madhe është se në lëvizjen pro-jetës dhe kishën ungjillore, ne jemi bërë kaq të lidhur me Partinë Republikane dhe Trampin si president, ata nuk kanë rëndësi fare për ne”, tha ajo.
Republikanët e tjerë të përkushtuar e kanë parë qëndrimin e Trampit ndaj zgjedhjeve si tmerr.
Stivën G. Kalabresi (Steven G. Calabresi), bashkëthemelues i Shoqërisë Federaliste dhe një profesor në Shkollën e Drejtësisë Pritzker të Universitetit të Northwestern-it i cili mbështeti Trampin përmes akuzimit, tha se në korrik shkrimet e Trampit në Tuiter të cilat rritin mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve ishin shkaqe për heqje.
“Unë kam votuar Partinë Republikane në çdo zgjedhje presidenciale që nga viti 1980, përfshirë votimin për Donald Trampin në vitin 2016. Kam shkruar editoriale dhe një artikull të rishikimit të ligjit duke protestuar atë që unë besoj se ishte një hetim antikushtetues nga Robert Mueller. Unë gjithashtu shkrova një editorial duke kundërshtuar akuzimin e presidentit Tramp”, shkroi Kalabresi. “Por unë jam sinqerisht i tmerruar nga tuitet e fundit të presidentit që kërkon të shtyjë zgjedhjet e nëntorit. Deri së fundmi, unë kisha marrë si hiperbolë politike pohimin e Demokratëve se presidenti Tramp është një fashist. Por ky tuit i fundit është fashist dhe në vetvete është arsye për heqjen e menjëhershme të presidentit përsëri nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe largimin e tij nga detyra nga Senati”.
Ndërsa është një gjë që ekspertët të pranojnë në heshtje të metat e Trampit dhe ta lënë atë mënjanë në një përpjekje besnike për të ruajtur parmakët institucionalë dhe për të ndjekur qëllimet e politikës, ata të cilët pretenduan se kishte diçka që kompensonte në lidhje me karakterin e tij personal nuk kanë të njëjtin besueshmëri. Pavarësisht, historitë të cilat ata tregojnë për të shpjeguar kthesat e tyre tregojnë se pasuesit skllavë të Trampit janë të aftë të largohen. Edhe oportunistët më të paturpshëm zakonisht mund të tregojnë kur u ka mbaruar mundësia.
Merrni për shembull Antoni Skaramuçin (Anthony Scaramucci), i cili deklaroi “dashurinë” e tij për Trampin në konferencën e tij të vetme për shtyp gjatë qëndrimit të tij 11-ditor si drejtor i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë dhe tani e ka ribërë veten një kryqtar anti-Trampist. Ai ia atribuon kthimin e tij sulmeve të racizuara të Trampit ndaj kundërshtarëve.
Një arsyetim i ngjashëm u shpreh nga Omarosa Manigault Njuman (Omarosa Manigault Newman), një shoqëruese e Trampit që nga sezoni i parë i “The Apprentice”, e cili qëndroi vetëm rreth stafit të Shtëpisë së Bardhë për sezonin e parë të presidencës së tij. Omarosa e përshkroi një herë Trampin si “zgjedhja e duhur për Amerikën” dhe tha “çdo kritik, çdo keqtrajtues duhet t’i përulet presidentit Tramp”. Por në memoarin e saj të vitit 2018 për kohën e saj në Shtëpinë e Bardhë, e patrembur, ajo përshkruan se si ajo kuptoi se Trampi është “një racist, një fanatik dhe një mizogjinist” veprimet e të cilit ishin “duke dëmtuar vendin” dhe se ajo “nuk mund të jetë më gjatë pjesë e kësaj çmendurie”. Kur u pushua nga puna nga shefi i shtabit Xhon Kelli (John Kelly), ajo tha se ndjehej e lehtësuar: “Për herë të parë pas gati pesëmbëdhjetë vjetësh, unë do të lirohesha nga kulti i Botës së Trampit”.
Mbështetës të tjerë thonë se Trampi thjesht i zhgënjeu.
Në vitin 2016, provokatorja e krahut të djathtë An Koullter (Ann Coulter) shkroi një libër i cili lartësonte virtytet e Trampit. Deri në këtë vit, asaj iu mbush kupa; ajo e quajti Trampin “prapambetjen më të pabesë e cila ka shkelur ndonjëherë në Zyrën Ovale”. Ajo është zhgënjyer më së shumti që Trampi nuk i mbajti premtimet e tij për të ndërtuar murin e kufirit dhe për të ndaluar imigracionin e paligjshëm. “Unë kurrë nuk do të kërkoj falje për mbështetjen e çështjeve që kandidati Trampi mbrojti, por më vjen thellësisht keq për mendimin se ky njeri i cekët dhe i thyer do të tregonte sadopak një besnikëri të largët ndaj premtimeve të cilat ishin shkak për zgjedhjen e tij”, shkroi ajo në Tuiter.
Koncepti i besnikërisë në një drejtim është një temë e zakonshme midis atyre të cilët kanë braktisur mbështetjen e tyre për Trampin. Sa më shumë që afrohet njeriu me Trampin, aq më shumë duket se ndjenja intensifikohet kur përfundimisht e kuptojnë se besnikëria e tyre është jo reciproke.
Në librin e tij të ri “Disloyal”, rregulluesi për një kohë të gjatë i Trampit, Majkëll Koheni (Michael Cohen) paraqet të gjitha skemat e ndryshme joetike dhe kriminale në të cilat ai mori pjesë në shërbim të Trampiт. Ashtu si Кoulteri, ai nuk e kuptoi se duhej të ndahej nga Trampi derisa u bë e qartë se sa burracakëri ishte përdorur.
Koheni rrëfen ndjesinë e tradhtuar nga Trampi kur dukej sikur nuk do t’i shlyhenin paratë e heshtjes të cilat ai i pagoi nga xhepi i tij për të fshehur punët e pretenduara të Trampit gjatë zgjedhjeve. Koheni priste një bonus të majmë të Krishtlindjeve për të rimarrë fondet dhe kur nuk i mori ato në kartolinën e tij të Krishtlindjes së vitit 2016 ai tha se ishte “i befasuar”, “i zhgënjyer”, “i habitur” dhe “i zemëruar” vetëm për të cekur disa fjalë me të cilat ai e përshkruante reagimin e tij.
“Diçka brenda meje u thye nga ky mosrespekt dhe mendjemadhësi me tekat e presidentit tani të zgjedhur Tramp”, shkroi ai. “Pagesa ime dhe i gjithë zjarri i ferrit dhe dënimi të cilat pasuan, deri duke përfshirë rrethanat e mia si i burgosuri me numër 86067-054 në burgun federal “Otisville”, buruan nga ajo mosmirënjohje dhe pandershmëri”.
Prapë se prapë Koheni nuk u kthye haptas kundër Trampit derisa agjentët e FBI-së bastisën banesën e tij në prill të vitit 2018. Koheni shkroi e vriste mendjen “tani isha në anën tjetër të dinamikës së pushtetit të cilën e kisha shfrytëzuar kaq shpesh në emër të Donald Trampit”. Trampi i premtoi Kohenit në një telefonatë “Të mbështesë unë. Do të jesh mirë”. Koheni shkroi “Kjo ishte mantra dhe nxitja e Trampit: më mbështeste presidenti. Nëse unë i qëndroja besnikë Trampit, ai do të qëndronte besnik ndaj meje. Unë duhej të qëndroja në kurs. Gjithmonë qëndroni në kurs. Jini besnikë. Do të isha mirë”. Por kjo nuk ishte e vërtetë.
Më pas Koheni u dënua me tre vjet burg. Dhe Koheni nuk i foli më kurrë Trampit.
Ish-shoqja dhe e besuara e Zonjës së Parë Melania Tramp (Melania Trump), Stefani Uinston Uolkof (Stephanie Winston Wolkoff) gjithashtu rrëfen zemërimin dhe poshtërimin të cilin e ndjeu pasi e lanë në rrezik Trampsat.
Uolkofja, një mike e ngushtë e Melanias e cili më parë kishte organizuar ngjarje të mëdha, duke përfshirë “Met Gala-n” e famshëm të Nju Jorkut, ra dakord për të organizuar ngjarjet e inaugurimit të Trampi. Por më pas shtypi filloi të shikonte për parregullsi të shpenzimeve rreth prodhimeve të saj. Uolkofja beson se e kishin ngritur padrejtësisht për të marrë fajin për shkak të mungesës së përvojës së saj në botën politike.
“Melania dhe Shtëpia e Bardhë më kishin akuzuar për veprimtari kriminale, më turpëruan më pushuan nga puna dhe më bënë mua kurbanin e tyre”, tha Uolkofja për Rejçëll Madou (Rachel Maddow) të “MSNBC”. “Në atë çast unë fillova të incizoj. Ajo nuk ishte më shoqja ime dhe ishte e gatshme t’i linte që të më poshtëronin”.
Deri sa ajo shkruante për të treguar të gjithë tregimin e saj, “Melania dhe Unë”, “Ishte gabimi më i keq i jetës sime të përfshihesha me Melanian dhe Trampët: emocionalisht, mendërisht, fizikisht, financiarisht, shoqërisht, profesionalisht”.
“Në fakt, do të doja që kurrë të mos e kisha takuar atë”, shkroi Uolkofja.
Këto përralla humbasin lehtësisht në përmbytjen e lajmeve të cilat derdhen nga Administrata e Trampit. Ankesa të tilla hidhen poshtë nga zëvendësuesit e fundit të Trampit si rrush i thartë nga ish-punonjësit e pakënaqur. Trampi prek tuitet duke nënçmuar karakterin e këtyre ish-besnikëve dhe papritmas emrat e tyre shkrihen në zhurmën e bardhë të mediave sociale të epokës së Trampit.
Me përjashtim të rastit kur bëni një hap mbrapa, disa akorde të zakonshme bien dhe ngrihen mbi të parëndësishmet vazhdimisht. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje sepse kjo ka shumë më shumë rëndësi sesa marrëdhëniet personale të Trampit me këta njerëz.
Njerëzit më të gatshëm për të ndihmuar Trampin na thonë se ai është një person me ide katastrofale të politikës së jashtme. Ata thonë se ai tregon mosrespektim të Kushtetutës dhe tregon mungesë ndjeshmërie ose shqetësimi për njerëzimin e të tjerëve. Ai kërcënon procesin tonë demokratik. Ai pret që aleatët e tij të pranojnë fajin për keqbërjet e tij.
Personazhet janë të ndryshëm, por të gjitha historitë e tyre janë të njëjta. Trampi i shtyn njerëzit të ndërmarrin veprime joetike, të rrezikshme, madje edhe kriminale për të mirën e tij.
Ky është Trampi. Ai përpiqet të korruptojë ata përreth tij. Kjo është arsyeja pse – përveç dëshirës për të shitur libra – kaq shumë njerëz kanë dalë javët e fundit për të shpjeguar zhgënjimin e tyre ndaj Trampit. Ata e dinë se nëse ai merr një mandat të dytë, ai do të vazhdojë të korruptojë Amerikën gjithashtu.
Gazetarja politike e “Bulwark-ut” Amanda Karpenter është kontribuuese për CNN-in, autore dhe ish-drejtore e komunikimeve për senatorin Ted Kruz (Ted Cruz) dhe shkruese e fjalimeve për Xhim DeMintin (Jim DeMint).

Burimi: Thebulwark, 14.09.2020
Përktheu dhe përshtati: Tasim Ameti
Antiteza.org/19.09.2020

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *