Ata të cilët nuk dëshirojnë të mbajnë maska na vënë të gjithëve në rrezik, por ballafaqimi nuk është përgjigjja e duhur

Eleanore Morgan

Është e lehtë të ndihesh i zemëruar ndaj atyre të cilët nuk ndjekin udhëzimet e Covid-19. Megjithatë empatia është çelësi për të ndryshuar mendjen e njerëzve
“Unë kam astmë meqë ra fjala”, më njoftoi një grua në dyqanin tim lokal këtë javë. Unë nuk e kisha vërejtur atë. Ajo nuk kishte maskë; Unë kisha. “Është në rregull!” thashë, pa u menduar. Ajo u përgjigj: “Thjesht thash të them para se të më qërtosh për arsye se nuk kam maskë”.
Doja të evitoja konfliktin në një hapësirë të vogël. Në të vërtetë, më kap paniku kur shoh fytyra të zbuluara në dyqane. Edhe unë kam astmë, por sipas përvojës sime, mbajtja e një maske për tre minuta për të blerë domate të konservuara nuk ka qenë në kundërshtim me këtë. Gruaja në dyqan më shqetësoi, por mund të jetë e vështirë të ndiesh se një bisedë e arsyeshme është e mundur në momente të tilla. Ajo ishte e gatshme për ballafaqim. Unë isha e rraskapitur. Si do të zhvillohej një bisedë e qetë?
Mbulesat e fytyrës janë të detyrueshme në ambientet e brendshme, por zbatimi i rregullave nga bizneset dhe institucionet individuale duket, si ta themi me më butësi, i çrregullt. Në dyqanin tim lokal, arka është prapa një ekrani plastik, por pronarët nuk e imponojnë aspak mbulesën e fytyrës, pavarësisht nga shënimi verbues në ballë. Ndjenja e përgjegjësisë, pra, është e rrënjosur fort tek individi. Kjo krijon dinamikë komplekse ndërpersonale.
Hulumtimi i thellë tregon se mbajtja e një maske kontribuon në një ulje të madhe të rrezikut të infeksionit. Studiuesit supozuan më herët këtë muaj se maskat mund të ishin një vaksinë e papërpunuar kundër Covid-19, e rrënjosur në idenë (e paprovuar) se mbajtja e një maske mund të ekspozojë dikë në sasi të virusit që shkaktojnë një reagim mbrojtës imun. Maskat janë gjithashtu të lidhura me sëmundje më pak të rënda: studiuesit kanë dokumentuar shpërthime pa simptoma në vende të tilla si anijet e lundrimit, ku pothuajse të gjithë ishin me maska. Në hapësirat e mbushura me njerëz ku maskat janë të detyrueshme, shkalla e infektimit duket se bie.
Ne të gjithë e dimë se ato janë të pakëndshme, të djersitin, kufizuese dhe të këqija për lëkurën tonë (kam disa kohë që kam “mustaqe” me njolla në buzën e sipërme), por ka prova të mjaftueshme të cilat tregojnë për përfitimet e bartjes së tyre. Sidoqoftë, kur vendimi për të mbajtur maska varet nga vlerësimi i rreziqeve nga një individ, ndërveprimet mund të bëhen emocionuese.
“Grupet shoqërore gjithashtu kanë krijuar dhe përforcuar normat e tyre rreth maskave përmes presioneve dhe pritjeve delikate dhe jo aq delikate”, shkroi Dr. Robert Klitzman, profesor i psikiatrisë në Universitetin Columbia në Nju Jork Tajms, një vëzhgim i vërtetë për shumicën. Kur vlerat tona vihen në dyshim, kjo mund të provokojë mbrojte. “Unë do të doja që ju të mbani një maskë kur të hipni në autobus”, mund të duke si “Unë mendoj se ju jeni të papërgjegjshëm dhe unë jam i nevrikosur me ju”.
Fakti është se shumë faktorë psikologjikë kontribuojnë që dikush të vendosë të bartë një maskë. Njerëzit ndryshojnë në mënyrë dramatike në atë se si e gjykojnë dhe pranojnë rrezikun, në varësi të informacionit ndaj të cilit janë ekspozuar. Normave u duhet pak kohë për t’u zhvendosur në bashkësi. Nëse dikush ka pasur përvojë të drejtpërdrejtë me virusin korona, kjo do të ndikojë në vendimmarrjen e tyre. Për shembull, të rinjtë mund të kenë njohur më pak njerëz të prekur rëndë nga Covid-19 dhe kanë më pak shqetësime.
Hulumtimet sugjerojnë se sa më shumë njerëz të shohin të tjerët duke bartur maska, gjasat që ata vetë të mbajnë një maskë rritet. Sa më shumë ekspozim, aq më normale ndihet. Si specie jemi të prirura të përshtatemi me njëri-tjetrin; ne duam të jemi të pranueshëm, jo të shmangur. Kjo ushqen rolin të cilin e luan turpi në bisedën me maska, veçanërisht mesa duket në mesin e burrave.
Publikimet në Tuiterin tim janë me përplot njerëzit të cilët ankohen se janë kryesisht burrat ata të cilët nuk mbajnë maska. Unë jam ankuar gjithashtu, por isha e interesuar të lexoja provat të cilat shpjegojnë pse disa grupe burrash kanë më shumë të ngjarë të mos mbajnë maskë, veçanërisht më të rinj, politikisht konservatorë, ata të cilët përputhen me pikëpamjet tradicionale të maskulinitetit ose kanë shkrim-lexim më të ulët shëndetësor. Çështje të tilla nuk ndihmohen nga figura publike të tilla si Noelle Gallagerja (Noel Gallagher) e cila i cilëson maskat si të pakuptimta.
Nëse jemi përkrahës të maskave, është e lehtë të ndihemi të zemëruar ndaj atyre të cilët nuk janë. Por, të qenit më të vetëdijshëm për përgjigjet tona emocionale është ndoshta çelësi për të ndikuar në ndryshim. Përbuzja e dikujt, qoftë në internet apo në një tren, ndoshta do të jetë joproduktive. (Heqja dorë nga pozicioni i dikujt si i pabazë është një nga mënyrat më pak efektive për të komunikuar rreziqet e shëndetit publik.)
Mënyra se si njerëzit ndjekin mesazhet e shëndetit publik parashikohet nga besimi: nëse nuk i besojmë lajmëtarit, nuk i besojmë as lajmit. Me komunikimin e çrregullt të kësaj qeverie, besimi po zhduket me shpejtësi. Duke marrë parasysh se çfarë është në rrezik nëse njerëzit fillojnë të hedhin në shporta maskat e tyre, mund të jetë e vështirë të ngelesh i qetë. Por ka më shumë të ngjarë të na dëgjojnë nëse zbusim gjykimin tonë.
Kur epidemiologia dhe profesoresha e Harvardit Xhulia Markus (Julia Marcus) shkroi për kundër-maskuesit meshkuj me një mungesë të theksuar të turpërimit, disa burra të cilët ishin të hapur për të dëgjuar pikëpamjet e saj mbi maskat ranë në kontakt me të. Këtu ka një mësim. Mbrojtja i bën të tjerët më pak të gatshëm të dëgjojnë dhe përpunojnë informacionin. Nëse e dënojmë me shumicë pikëpamjen e dikujt, ata mund të çkyçen nga biseda dhe siç është vërejtur te kundër-vaksinuesit, dyfishojnë bindjet e tyre.
Të jetosh në një pandemi do të thotë që të gjithë jemi të stresuar, emocionalë dhe me më shumë të ngjarë të jemi në modalitetin e luftës ose shmangies, gjë e cila ndikon në mënyrën se si komunikojmë dhe mbajmë informacionin. Por është e domosdoshme të përpiqemi dhe të lundrojmë në këto çështje me gjemba me epmati nëse mundemi.
Komunikimi shpesh varet nga përgatitja, por nuk mund të kemi gjithmonë kohë. Nëse jam në autobus dhe shoh dikë me maskën rreth mjekrës, ose dikë në një dyqan me fytyrë të zbuluar, çfarë dua të arrij duke i folur atyre? Unë dua që ata të mendojnë për të bartur një maskë. Nëse unë u hedh një vështrim të ashpër pastaj shkoj dhe i qortoj, ashtu siç dyshoj se i ka ndodhur gruas të cilën e takova në dyqan më herët, reagimi ndoshta do të jetë negativ. Ndoshta një qëllim më i mirë, nëse duam të arrijmë diku, është të bëjmë pyetje dhe të dëgjojmë. Ekziston një fuqi e jashtëzakonshme në ndjenjën e vlerësimit. Nëse dikush ndihet i sigurt për të folur, ai gjithashtu mund të ndjehet i sigurt edhe për të rimenduar.
Eleanore Morgan (Eleanor Morgan) është autore e librit Hormonale: Një Bisedë Rreth Trupit Të Femrave, Shëndetit Mendor dhe Arsyes Se Pse Duhet Të Na Dëgjojnë (Hormonal: A Conversation About Women’s Bodies, Mental Health and Why We Need to Be Heard)
The Guardian, 17.09.2020

Përktheu dhe përshtati: Tasim Ameti

Antiteza.org/20.09.2020

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *