Britania duhet të jetojë me virusin korona, jo t’ia ketë frikën atij

Simon Xhenkins

Vallanci (Vallance) dhe Uiti (Whitty) folën në mënyrë të arsyeshme dhe të sinqertë në konferencën e tyre për shtyp. Por të dhënat e tyre ishin selektive dhe ata duket se janë të vendosur të shkaktojnë alarm
Falë Zotit që shkencëtarët po flasin për virusin korona e jo për politikanët. Ata flasin qartë dhe tingëllojnë sinqertë. Prezantimi i sotëm nga Sër Partik Vallanci i Uajtahollit (Whitehall) dhe Kris Uiti (Chris Whitty) ishte pa parulla dhe klishe. Ata thjesht donin të thoshin se virusi ishte rikthyer, numrat e Covid-19 po rriteshin dhe ne të gjithë duhet të shqetësohemi. Deri më tani gjithçka është e arsyeshme.
Ajo çfarë ata nuk bënë ishte të merrnin pyetje mbi tezën e tyre alarmuese ose të tregonin se si ajo duhet të ndikojë në politikën e qeverisë. Ata e bazuan argumentin e tyre në dy vende, Spanjën dhe Francën, të dyja me “rritje të rasteve” shumë më keq se Britania e Madhe, pa përmendur Italinë, Gjermaninë, Suedinë ose ndonjë vend tjetër – prova të cilat mund të udhëzojnë në drejtim të kundërt.
Vallanci dhe Uiti dukeshin të bllokuar nga nevoja për të ruajtur shqetësimin e publikut. Ne e dimë grafikun i cili shfaqet çdo mbrëmje në BBC i cili tregon rastet në Mbretërinë e Bashkuar të cilat rriten gjithnjë e më afër 5,000 të regjistruar në kulmin e virusit në prill. Të gjithë ata me njohuri rreth këtij grafiku e dinë se është i rremë. Nuk kishte asnjë testim të duhur në prill dhe madje BBC-ja shpjegon se kjo shifër kulmore ishte një nënvlerësim. Përveç kësaj, praktika e testimit ndryshon kaq shumë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë, saqë krahasimet janë të pakuptimta. Por grafiku vazhdon.
Sëmundja është kthyer pa dyshim, siç ishte parashikuar, por asgjë nuk është si niveli i vdekjes së prillit. Shifra të cilës shumica e epidemiologëve i kushtojnë rëndësi, ajo e “vdekjeve të tepërta” mbi normën sezonale, e cila u rrit në prill, tani mbetet afër normales. Pranimet me Covid-19 në spitale po rriten, por me rreth 200 në ditë krahasuar me 3,000 në ditë në prill. Me 991 vdekje në javë që i atribuohen gripit të zakonshëm dhe pneumonisë, Covid-19, ose të dyve, me 78 nga të cilat kanë rezultuar zyrtarisht pozitivë në Covid, virusi nuk mund të përshkruhet aq ogurzi sa të kërkojë një rikthim në izolim kombëtar.
Duke cituar një “rritje eksponenciale” të mundshme të vdekjeve siç bëri Vallanci është të vendoset i njëjti kërcënim siç u përdor nga Neil Fergusoni i Kolegjit Imperial me parashikimin e tij të gjysmë milioni vdekjeve në mars.
Shkencëtarët e respektuar jashtë klikës së “Downing Street-it” i apelojnë pothuajse çdo ditë kombit që të mësohet të jetojë me këtë sëmundje gjatë dimrit, duke mbrojtur të prekshmit dhe duke siguruar që spitalet të mund të përballen me një rritje gjatë dimri. Parashikimi për një vaksinë vitin e ardhshëm, siç tha Vallanci, është me të vërtetë shpresëdhënëse.
Kushdo i cili udhëton aktualisht diku tjetër në Evropë vëren pothuajse bartjen e maskave dhe larjen e duarve gjithkund, por asnjë nga mosdisiplinimi, paniku dhe shembja ekonomike e Britanisë. Shkencëtarët e sotëm dështuan të sigurojnë ndonjë provë të efektivitetit të rregullit të gjashtë ose të ndonjë teknike të pazbuluar të “prishjes së qarkut”. Megjithatë, këto masa të vetme për të gjitha janë qartë shkatërruese për zona të mëdha të ekonomisë. Sa për justifikimin e studentëve të universitetit, punonjësve të zyrave dhe rekreativëve, ne kemi mbetur pa informacione.
Thashethemet e tepërta të Uajthollit me përçarje të thella midis “flluskës” së shkencëtarëve rreth Boris Xhonsonit (Boris Johnson) dhe ministrave të tjerë të cilët luftojnë për të mbajtur ekonominë dhe jetën normale në një lloj rregulli. Me fjalë të tjera, politika britanike është thyer atëherë kur duhet të jetë koherente. Ky virus është qartë endemik derisa të zhvillohet një vaksinë. Kjo duket e pashmangshme. Nuk është e pashmangshme që qeveria të gjymtojë ekonominë britanike përtej çdo gjëje të përjetuar më parë, duke frenuar lirinë personale dhe duke shkaktuar mjerim dhe stres mendor për miliona njerëz. Kjo gjë diskutohet kaq gjatë vetëm në Britani dhe ka “shkencën” si mbështetje.
Simon Xhenkins (Simon Jenkins) është gazetarë për “Guardian-in”
The Guardian, 21.09.2020

Përktheu dhe përshtati: Tasim Ameti

Antiteza.org/23.09.2020

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *