Kajll D. Llarson
Në të vërtetë nuk ka të bëjë me liberalizmin kundër konservatorizmit aq sa ka të bëjë me atë se kush dhe si ndikon në shoqëri.
Një burim i konfuzionit të madh në politikën moderne amerikane është çorientimi ynë ideologjik. Çfarë mbështesin të dy partitë? Partia Demokratike zotëron emërimin “liberalë”, një fjalë sinonim i lirisë, por partia akuzohet rregullisht e të qenit autoritare. Dhe partia Republikane zotëron emërimin “konservatorë”, një fjalë e cila do të thotë rezistente ndaj ndryshimit, por në epokën e Trampit, partia ka sulmuar në mënyrë agresive normat tradicionale të cilat rregullojnë politikën dhe qeverinë amerikane.
Një pjesë e problemit këtu është se këto dy fjalë, “liberalë” dhe “konservatorë” janë shoqëruar me platformat e partisë, në vend se vështrimet filozofike. Në diskursin e përbashkët politik, “liberalë” do të thotë “programet të cilat ndiqen nga partia Demokratike” dhe “konservatore” do të thotë “programet të cilat ndiqen nga partia Republikane”. Por kjo mbërthen disa mësime të rëndësishme në lidhje me dy partitë politike dhe shoqërimin e tyre me traditat “liberale” dhe “konservatore” dhe arsyen se pse polarizimi ynë politik është kaq i rrezikshëm për demokracinë amerikane.
Për të shmangur konfuzionin, unë do t’i referohem lëvizjes politike “liberale” në Shtetet e Bashkuara si “e Majta”, ndërsa përdori termin “liberale” për traditën filozofike politike; e njëjta, “e Djathta” dhe “konservatore”. E Majta dhe liberalja nuk janë e njëjta gjë, as edhe e djathta dhe konservatorja. Në fakt, liberalët dhe konservatorët, si tradita filozofike politike, madje nuk kundërshtohen si duhet me njëri-tjetrin: Tradita liberale na mëson se si të barabartë, njerëzit duhet të jenë në gjendje të bëjnë zgjedhjet e tyre – të mendojnë: Xhon Stjuart Milli (John Stuart Mill). Antiteza e tij është autoritarizmi i Tomas Hobsit (Thomas Hobbes). Konservatorizmi është besimi se ndryshimi duhet të jetë i ngadaltë, siç u shpall nga Edmund Burke, në krahasim me radikalizmin e llojeve të ndryshme.
Është krejtësisht e mundur – dhe në shumë mënyra tërheqëse – të jesh një konservator liberal. Demokratët dhe Republikanët kanë qenë në pjesën më të madhe të shekullit të kaluar liberalë. Në fakt, duhet të bëhet një argument që partitë Demokratike dhe Republikane ishin, për pjesën më të madhe, të dyja konservatorë liberalë.
Në ekstremin e të dy palëve janë lëvizjet të cilat kundërshtojnë elementet e tyre përkatëse konservatore. Debatet midis “ekstremit të majtë” dhe “qendrës së majtë” brenda partisë Demokratike janë në thelb luftime midis Demokratëve radikalë dhe konservatorë. Ka një marrëveshje të përgjithshme se duhet të ketë ndryshim, por një mosmarrëveshje në lidhje me shkallën e ndryshimit i cili nevojitet dhe sa shpejt duhet të ndodhë ai. Duke i marrë të dyja në dritën më të mirë të mundshme, Demokratët radikalë argumentojnë se drejtësia e vonuar është drejtësia e mohuar, ndërsa Demokratët konservatorë përqendrohen në pyetjet pragmatike të politikës dhe si të arrijnë ndryshimin e qëndrueshëm. Debate të ngjashme kanë ndodhur brenda partisë Republikane, me Republikanët konservatorë gjithnjë e më shumë duke u etiketuar me etiketën RINO (Republican In Name Only – Republikan vetëm me emër).
Autoritarizmi zakonisht lidhet me përfshirjen e qeverisë; ne mendojmë për kontrollin unitar të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste mbi gjithçka si shembulli kryesor, ose i Partisë Komuniste Kineze. Por autoritarizmi mund të interpretohet më gjerësisht, duke zgjeruar konceptin për të përfshirë aktorë joqeveritarë (ndonjëherë të quajtur “elita”), të cilët gjithashtu mund të kufizojnë autonominë individuale.
Dallimi tradicional midis të Majtës dhe të Djathtës nuk ka të bëjë me liberalizmin e tyre. Përkundrazi, bëhet fjalë për mendimet e tyre rreth autoritetit. Ata nuk pajtohen jo se njerëzit duhet të jenë në gjendje të bëjnë zgjedhjet e tyre, por për atë se cili autoritet duhet të ketë ndikim mbi shoqërinë dhe pse.
Pak njerëz besojnë se nuk duhet të ketë fare autoritet. Jashtë anarkistëve, praktikisht të gjithë bien diku në boshtin midis liberales dhe autoritares. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të bëjnë zgjedhjet e tyre, deri në një pikë (tradicionalisht, deri në pikën kur zgjedhjet tuaja dëmtojnë të tjerët).
Dallimi midis së Majtës dhe së Djathtës amerikane ka të bëjë me atë se cilit lloj autoritarizmi ato i frikësohen. Shumë nga të Djathtët flasin për frikën e tyre nga autoritarizmi i anulimit të kulturës/korrektësisë politike dhe të socializmit. Ata në të Majtën i frikësohen autoritarizmit të mostolerancës dhe pabarazisë.
E Djathta percepton anulimin e kulturës dhe korrektësisë politike si tirani shoqërore. Xhon Stjuart Milli e përcaktoi këtë si “tirania e mendimit dhe ndjenjës mbizotëruese”, e cila ndihet dhe zbatohet përmes presionit shoqëror. E Djathta dhe e Majta të dyja kanë frikë nga ky lloj autoritarizmi, por në vitet e fundit e Djathta e ka ndjerë atë më fortë për shkak të ndryshimeve shoqërore dhe demografike. Transformimet e shekullit të kaluar janë një imponim, jo aq shumë nga qeveria sa nga vetë shoqëria në ndryshim. (Kjo është pjesërisht arsyeja se pse kaq shumë vitriol është rezervuar për Holivudin (Hollywood) dhe mediat, të cilat perceptohen edhe si përfaqësuese edhe si nxitëse të këtij ndryshimi shoqëror.) Në fund të fundit, ata të cilët janë në të Djathtën urrejnë të ndëshkohen (shoqërisht ose ligjërisht) për mos pranimin e të gjitha elementeve të asaj shoqërie e cila ndryshon.
Socializmi është më vështirë të zbërthehet sepse fjala “socializëm” përdoret për të kuptuar një larmi gjërash. Për tu shprehur në mënyrë tipike, kur ata të cilët janë në të Djathtën flasin për një frikë ndaj socializmit, kjo ka të bëjë me frikën e rregullimit ekonomik dhe rishpërndarjen ekonomike (zakonisht larg atyre dhe të tjerëve, veçanërisht atyre të tjerëve të perceptuar si të padenjë), të gjitha duke kulmuar me një ulje të përgjithshme të prosperiteti (si për veten e tyre ashtu edhe në përgjithësi për vendin). Rreziku të cilin e shohin ata në të Djathtën është potenciali për një qeveri mbizotëruese e cila dikton të gjitha aspektet e jetës ekonomike.
Ashtu si socializmi, jotoleranca ka kuptime të shumëfishta. Merrni nën-zhanrin e saj më famëkeq, racizmin. Kur ata të cilët janë në të Djathtën flasin për frikën e tyre nga racizmi, ata zakonisht nënkuptojnë diçka si “keqdashje e qëllimshme ndaj njerëzve jo nga raca e tyre”. Por kur ata të cilët janë në të Majtë flasin për racizmin, ata gjithashtu përfshijnë gjëra të tilla si “racizmi sistemik” dhe “paragjykimi i nënkuptuar”. Racizmi sistemik (p.sh. diskriminimi i strehimit) dhe paragjykimet e nënkuptuara (p.sh. stereotipet) nuk janë domosdo të qëllimshme; ato mund të ndodhin edhe nëse nuk ka asnjë person të vetëm i cili ka keqdashje të qëllimshme. (Shumë debate midis së Majtës dhe së Djathtës rreth asaj se nëse Shtetet e Bashkuara janë “raciste” nuk arrijnë askund për këtë arsye; ata të cilët janë në të Djathtën kanë tendencën të përcaktojnë racizmin si kërkim të keqdashjes së qëllimshme, ndërsa ata të së Majtës jo. Është e pamundur të kesh një debat të dobishëm mbi temën pa një përkufizim të përbashkët.) Pavarësisht se cilin përkufizim përdorim, frika nga e Majta është se njerëzit nuk do të jenë në gjendje të jetojnë jetën e tyre ashtu si dëshirojnë ta jetojnë dhe zgjedhjet e tyre do të kufizohen në mënyra ose të dukshme ose të fshehta.
Pabarazia në thelb varet nga fuqia e të pasurve për të përdorur pasurinë e tyre për të kontrolluar shoqërinë. Kjo ndodh pjesërisht përmes aftësisë për të ndikuar në qeveri (prandaj ndikimi i pasurisë mbi rezultatet elektorale shihet si një çështje kryesore nga shumica e së Majtës). Kjo arrin kulmin me aftësinë e të pasurve për të përjashtuar të tjerët nga shikimi i përfitimeve të një ekonomie në rritje, duke marrë këto përfitime në vend të tyre vetëm për vete. Frika përfundimtare është nga një klasë e vogël, e pasur, e cila mund të diktojë një klasë të madhe, të varfër, duke i detyruar të varfrit të pranojnë shkelje vetëm për të fituar nevojat e jetës.
Pavarësisht nëse ndonjë prej këtyre frikave është e bazuar, çfarë ka rëndësi për gjendjen e politikës amerikane është ajo se njerëzit thellësisht dhe sinqerisht i kanë po të njëjtat frika. Të dyja palët e perceptojnë veten se janë në anën e liberalizmit (me përjashtime), duke iu rezistuar impulseve autoritare të rivalëve të tyre politikë. Impulset autoritare të rivalit janë gjithnjë e më shumë gjithçka çfarë shohin përkrahësit partiak.
Këto impulse theksohen nga fakti se frika e tyre është e kundërta e njëra-tjetrës. Për ata të cilët janë në të Majtë, luftimi i racizmit, seksizmit dhe homofobisë shpesh përfshin mjete të cilat ata në të Djathtën i perceptojnë si tirani shoqërore. Për të Majtën, lufta ndaj pabarazisë shpesh përfshin mjete të cilat e Djathta i quan socialiste. Dhe e kundërta është e vërtetë: për të Djathtën, lufta ndaj socializmit shpesh duket nga e Majta si imponim i pabarazisë më të madhe. Ajo që e Djathta e konsideron kundërshtim ndaj “korrektësisë politike” shpesh i duket së Majtës si rezistencë ndaj eliminimit të racizmit dhe formave të tjera të jotolerancës.
Kjo mund të duket kundërvepruese: Për të dyja palët, luftimi i autoritarizmit kërkon kryesisht kontrollin e qeverisë federale.
Në përgjithësi njerëzit mendojnë se qeveria është burimi kryesor i autoritarizmit. Por, nga këndvështrimi i së Djathtës amerikane, në të vërtetë nuk ka të bëjë me asnjë mënyrë për të luftuar tiraninë shoqërore, ose për të luftuar socializmin, pa pasur kontroll të paktën në një degë të qeverisë. Dhe nga këndvështrimi i së Majtës amerikane, nuk ka asnjë mënyrë për të luftuar racizmin ose pabarazinë pa të njëjtën gjë. Po, ka gjëra të cilat secila palë mund të bëjë pa kontroll qeveritar, por nëse pala tjetër ka kontroll, nuk mund të bëhet diçka për t’i parandaluar ata për të imponuar agjendën e tyre të frikës.
Kjo situatë politike – ku e Majta dhe e Djathta drejtohen nga mbrojtja e perceptuar e liberalizmit kundër impulseve autoritare të rivalëve të tyre politikë – është jashtëzakonisht e rrezikshme. Kjo sepse, siç argumentojnë me mjeshtëri Stivën Levitski (Steven Levitsky) dhe Daniel Zibalti (Daniel Ziblatt) në librin e tyre “How Democracies Die – Si vdesin demokracitë”, nëse humbja e zgjedhjeve do të thotë se rivali politik do të imponojë autoritarizëm, atëherë bëheni të gatshëm të ndërmerrni çdo mjet të nevojshëm për të parandaluar një humbje elektorale – deri në masa antidemokratike. Kur kjo të ndodhë, demokracia është në telashe.
Impulsi antidemokratik është më i qartë në partinë Republikane tani. Frika nga kontrolli i së Majtës mbi qeverinë, përfshirë gjykatat, i shtyn Republikanët të përfshihen në manipulime të votave, shtypjen e votuesve dhe bllokimin e emërimeve gjyqësore Demokratike nga epoka Mek Konëllit (McConnell). Të gjitha këto janë mbështetur nga shumica e së Djathtës, të cilët i perceptojnë si të nevojshme për t’i rezistuar autoritarizmit të Majtë. Por impulsi antidemokratik nuk është unik për republikanët dhe, për arsye se veprimet të cilat ata të cilët janë në të djathtë i perceptojnë si rezistencë ndaj autoritarizmit të së Majtës janë gjithnjë e më antidemokratike, kjo krijon një grup të ri stimulimesh për ata të cilët janë në të Majtën të kundërpërgjigjen në të njëjtën mënyrë.
Stjuart Stivënsi (Stuart Stevens) ka thënë: “Në mënyrë që kjo demokraci të funksionojë, dikush duhet të jetë i gatshëm të humbasë”. Por kjo nuk është mjaft e drejtë. Për të funksionuar demokracia, të dy palët duhet të jenë të gatshme të humbasin. Për sa kohë që secila palë e percepton tjetrën si autoritare, njerëzit nga të dy palët do të besojnë se humbja është një katastrofë e cila duhet të shmanget me çdo mjet të nevojshëm. Fatkeqësisht, për sa kohë që frika është emocioni përcaktues i politikës në “home of the brave – shtëpinë e trimave”, demokracia amerikane do të jetë e pasigurt.
Kajll D. Llarsoni ka një Ph.D. në shkenca politike nga Universiteti Shtetëror i Ohajos dhe një MA në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe BA në filozofi nga Universiteti i Çikagos. Ai ka dhënë mësim për lëndët Politikë dhe qeveri amerikane, Politikë ndërkombëtare dhe Teori politike.
The Bulwark 25.09.2020
Përktheu dhe përshtati: Tasim Ameti
Antiteza.org/29.09.2020