Dëbimi i një personi të zi autik është një aktakuzë ndaj sistemit racist të drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar

Micha Frazer-Carroll

Javën e ardhshme, një person tjetër i ndjeshëm do të dërgohet në një qendër paraburgimi në përgatitje për dëbimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar. Dëbimi mund të çojë drejt vdekjes së tij. Nëse planet e Ministrisë së Brendshme vazhdojnë, Osime Brauni (Osime Brown), një 21-vjeçar i zi, do të dërgohet në Xhamajka – një vend të cilin ai e kishte lënë në moshën katër vjeçe – si rezultat i një krimi të cilin ai nuk e kishte bërë personalisht. Për shkak të ligjit të diskutueshëm dhe diskriminues të ndërmarrjeve të përbashkëta të Mbretërisë së Bashkuar, Brauni u dënua dhe u burgos në vitin 2018 pasi ai kishte parë një vjedhje telefoni në rrugë, edhe pse dëshmitarë të tjerë thanë se ai u kërkoi në mënyrë të qartë njerëzve të cilët vodhën telefonin të ndalonin. Tani, si një dënim të dytë, ai pritet të dëbohet pas lirimit sepse ai nuk ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar.

Nëse kjo vazhdon, do të jetë edhe një rast tjetër kur një person me ngjyrë (shpesh një person i zi) dëbohet në një vend në të cilin ata aspak e njohin, për arsye krejtësisht të padrejta. Kjo praktikë është thellësisht çnjerëzore – ne e dimë se të paktën 11 njerëz kanë vdekur pas dëbimit të padrejtë pas skandalit të Uindrushit (Windrush). Por ajo që e bën bindjen dhe dëbimin e Braunit veçanërisht shqetësues dhe aq më shumë kërcënues për jetë, është fakti që ai është autik, ka një aftësi të kufizuar në të mësuar dhe thuhet nga familja e tij se ai ka nevojë për mbështetje shumë të madhe. Ai nuk ka asnjë familje ose miq të cilët janë në gjendje të kujdesen për të në Xhamajka. “Nëse ai dëbohet, ai do të vdesë”, tha nëna e tij për “Independent-in”. Kur dëgjoi lajmin e dëbimit të tij, Brauni pyeti nënën e tij se cilin autobus mund të merrte nga Xhamajka për ta parë atë në Dadlli (Dudley).

Historia e Braunit hedh dritë mbi mënyrat se si kryqëzohen raca, aftësia e kufizuar dhe dënimi penal. Në Angli dhe Uells, të zinjtë kanë nëntë herë më shumë gjasa të dërgohen në burg sesa homologët e tyre të bardhë; njerëzit e zinj kanë gati 10 herë më shumë gjasa të ndalohen dhe kontrollohen; dhe njerëzit e zinj dhe etnikë të pakicave gjithashtu kanë më shumë të ngjarë të humbin shansin për një dënim të reduktuar. Kohë pas kohe, historitë e lajmeve kanë treguar se njerëzit e zinj përballen me arrestime ose dyshime për aktivitetet më të zakonshme, nga ngasja e biçikletës, e deri tek ngasja e një makine të bukur. Qoftë nga policia, gjykatat apo njerëzit në rrugë, njerëzit e zinj kanë më shumë gjasa të perceptohen si kriminelë.

I njëjti paragjykim është i pranishëm në dënimin e Braunit nën ndërmarrjen e përbashkët. Ky ligj, i cili do të thotë se kushdo i cili konsiderohet bashkëpunëtor në një krim mund të dënohet edhe nëse ata nuk luajnë asnjë rol të drejtpërdrejtë, në mënyrë disproporcionale prek burrat e rinj të zi. Midis atyre të cilët janë në burgje për vepra të përbashkëta, njerëzit e zinj përfaqësohen 11 herë më shumë se prania e tyre në popullatë në tërësi. Kjo është kryesisht për shkak të stereotipizimit të grupeve shoqërore të zinj si “banda”.

Në vitin 2020, historitë e racizmit në drejtësinë penale dhe sistemet e imigracionit të Britanisë janë tmerrësisht të njohura. Një çështje më pak e kuptueshme është mënyra se si funksionon aftësia e kufizuar. Nuk qëndron puna se Brauni është vetëm i zi, ai është edhe autik – një diagnozë e cila mund të ndikojë ndjeshëm në mënyrën se si dikush përjeton kontrollin policorë. Në bashkëveprimet policore dhe intervistat, tiparet e sjelljes së njerëzve autik të perceptuar si “të pazakonta” mund të rrisin gjasat që ata të arrestohen, ose edhe më keq.

Në Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij muaji, një 13-vjeçar autik u qëllua nga policia në Utah pasi nëna e tij telefonoi për mbështetje me krizën e tij të shëndetit mendor. Sjellje të tjera të zakonshme të cilat lidhen me autizmin, të tilla si mungesa e kontaktit me sy, probleme në komunikim ose lëvizje vetë-stimuluese, gjykatës dhe policisë mund tu duken si të dyshimta. Djemtë të cilët janë të zinj dhe autik përballen me një formë të diskriminimit të dyfishtë – si Konor Lajbeli (Connor Leibel), i cili u shtri për tokë pasi faktikisht i shpjegoi policisë “Unë jam duke u stimuluar”. Për çudi, 69% e të rriturve autik në Angli dhe Uells thonë se janë të shqetësuar nga ndërveprimet të cilat i kanë pasur me policinë.

Efektet indirekte të kësaj janë gjithashtu të dukshme me kalimin e kohës: autizmi është më shumë se dy herë më i përhapur në mjediset mjeko-ligjore të Mbretërisë së Bashkuar siç janë burgjet, sesa në popullatën e përgjithshme – megjithëse mendohet se të burgosurit në të vërtetë nuk diagnostikohen. Kërkimet për këtë korrelacion janë ende të pakta, por disa mbrojtës të aftësive të kufizuar argumentojnë se këto shifra rezultojnë nga një numër faktorësh, duke përfshirë përjashtimet nga shkollat për shkak të ndryshimeve të sjelljes (Brauni u përjashtua në moshën 16 vjeçe) dhe mungesa e të kuptuarit të autizmit në kontekstet mjeko-ligjore.

E ëma e Braunit tha që ai nuk kishte një mentor ose punëtor mbështetës në burg dhe ishte viktimë e ngacmimit brenda, ku shëndeti i tij u përkeqësua.

Kjo shpërfillje e aftësive të kufizuar është e dukshme në mënyrën se si është trajtuar Brauni. Pavarësisht nga nevojat e tij për mbështetje, fakti që ai ka treguar sjellje vetëvrasëse dhe nuk njeh askënd në Xhamajka për ta marrë atë nga aeroporti, e lëre më të kujdeset për të. Fluturimi dëbues i Osimes është planifikuar për javën tjetër. Fjalët e nënës së tij ndihen si një goditje në mëlçi: “Trauma është e padurueshme. Jam e zemëruar, jam e thyer dhe kjo më ka bërë me ankth dhe depresion. Ka shkatërruar të gjithë familjen time… Biri im është duke vdekur”.

Me ankesën e planifikuar të Osimes e cila ishte anuluar si rezultat i virusit korona, dëbimi i tij është një aktakuzë mallkuese për qasjen e qeverisë Konservatore ndaj dënimit penal, ndaj imigracionit dhe aftësive të kufizuara – të gjitha të mbështjella në një rast. Ka drita shprese: një peticion për të ndryshuar vendimin ka grumbulluar gati 50,000 nënshkrime dhe deputetët Nadia Uitom (Nadia Whittome) dhe Xhon MekDonelli (John McDonnell) kanë shfaqur mbështetjen e tyre.

Nëse Ministria e Brendshme nuk merr parasysh dhe vendos të dërgojë një njeri të zi, autik në një situatë që familja e tij pretendon se do të çojë drejt vdekjes së tij, kjo dërgon një mesazh të qartë se për këtë qeveri jetët e zeza dhe me aftësi të kufizuara nuk kanë rëndësi.

Misha Frazer-Karoll (Micha Frazer-Carroll) është gazetare për “Indipendent-in”

The Guardian, 29.09.2020

Përktheu dhe përshtati: Tasim Ameti

Antiteza.org/01.10.2020

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *